KQZ miraton buxhetin mbi 10 milionë euro dhe afatet për zgjedhjet e 7 qershorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme lidhur me organizimin e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026. Sipas vendimeve të marra, KQZ ka miratuar planin e aktiviteteve dhe afatet kryesore zgjedhore, si dhe buxhetin për organizimin e këtij procesi, i cili kap vlerën prej 10,887,186.445 euro. Në bazë të planit të miratuar: Deklarimi i subjekteve politike për pjesëmarrje ose jo në zgjedhje dhe për koalicione do të bëhet nga 1 maj deri më 7 maj 2026. Aplikimi për certifikim të subjekteve politike zhvillohet nga 2 maj deri më 10 maj 2026, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve nga 2 maj deri më 12 maj 2026. KQZ do të vendosë për certifikimin e subjekteve deri më 10 maj, ndërsa për kandidatët deri më 15 maj 2026. Shorti për renditjen në fletëvotim do të hidhet më 16 maj 2026. Fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke filluar më 28 maj dhe duke përfunduar më 7 qershor 2026 në orën 06:59. Sa i përket votimit: Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës do të bëhet nga 6 maj deri më 17 maj 2026. Votimi përmes postës do të zhvillohet nga 25 maj deri më 6 qershor 2026. Votimi në përfaqësitë diplomatike do të mbahet më 6 qershor, nga ora 07:00 deri 19:00. Ndërkohë, brenda vendit, periudha për kundërshtimin dhe korrigjimin e listës së votuesve është paraparë nga 6 maj deri më 18 maj 2026. Po ashtu, gjatë muajit maj do të realizohen edhe proceset për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, akreditimin e vëzhguesve si dhe emërimin e komisioneve zgjedhore komunale dhe këshillave të vendvotimeve. Në fund të mbledhjes, KQZ ka miratuar edhe formulën për përbërjen e 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, si dhe planin për rekrutimin e stafit të përkohshëm dhe kompensimin e punës jashtë orarit për këtë proces zgjedhor. — Dragash Info