Botë

Trupi Gjykues në fazën e kuvendimeve – ende pa datë për aktgjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

01.05.2026. 2 min čitanja

width= Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka hyrë në një fazë vendimtare. Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, gjatë informimit javor për media ka bërë të ditur se Trupi Gjykues ndodhet aktualisht në fazën e kuvendimeve, ku po shqyrtohen provat dhe argumentet përfundimtare para marrjes së vendimit final. Sipas saj, kjo fazë është ndër më të rëndësishmet në proces, pasi gjykatësit analizojnë të gjitha materialet e paraqitura gjatë gjykimit. Griep theksoi se, bazuar në rregullat në fuqi, Trupi Gjykues ka në dispozicion një afat prej 90 ditësh për të nxjerrë aktgjykimin. Megjithatë, ajo sqaroi se ky afat nuk është i prerë dhe mund të zgjatet në varësi të kompleksitetit të çështjes. “Afati për nxjerrjen e aktgjykimit varet nga secila çështje. Rregullorja përcakton 90 ditë, por kuvendimet mund të zgjasin përtej këtij afati nëse kërkohet më shumë kohë për një vendim të drejtë dhe të argumentuar”, deklaroi ajo. Ajo gjithashtu bëri të ditur se aktualisht nuk ekziston një datë e saktë për shpalljen e verdiktit, por publiku do të njoftohet menjëherë sapo gjykatësit të caktojnë një afat konkret. Duke iu referuar Rregullores së Procedurës dhe të Provave, konkretisht rregullës 159, Griep nënvizoi se Trupi Gjykues nuk është i detyruar të kërkojë zgjatje formale të afatit, por në rast të zgjatjes duhet të japë një vendim të arsyetuar. Ndërkohë, rregullorja në fuqi nuk përcakton një afat të saktë kohor për publikimin e këtij vendimi, duke lënë hapësirë që procesi të zgjasë në varësi të rrethanave dhe kompleksitetit të rastit. — Dragash Info