Ish-prokurori kërkoi burgim të përjetshëm për krerët e UÇK-së në takim diplomatik, Qelaj ngre shqetësime serioze
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka prezantuar raportin e organizatës britanike Bar of Human Rights Committee lidhur me procesin gjyqësor në Gjykata Speciale ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Qelajt, raporti evidenton një sërë shqetësimesh serioze mbi mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor. Ndër to, ai përmendi një takim të ish-kryeprokurorit Jack Smith me përfaqësues diplomatikë, ku sipas raportit është kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli. Po ashtu, Qelaj theksoi se shqetësime të mëdha ngjallin edhe deklaratat e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila ka vlerësuar se lirimi i mundshëm i të akuzuarve mund të përbëjë rrezik. “Konstatimi se këta persona paraqesin rrezik në rast lirimi ngre pikëpyetje serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë, por edhe për integritetin e vet procesit gjyqësor”, ka deklaruar Qelaj. Ai shtoi se takimi i përmendur me diplomatë është zhvilluar pa u njoftuar pala mbrojtëse, duke e cilësuar këtë si një element shtesë shqetësues për transparencën dhe drejtësinë e procesit. — Dragash Info