Kërkesë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Restelicë
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Dragashit, këshilltari komunal Danis Hodža ka ngritur shqetësimin e banorëve të fshatit Restelicë lidhur me gjendjen në sistemin shëndetësor. Ai theksoi se Restelica, si fshati më i madh në komunën e Dragashit, meriton kushte shumë më të mira në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Në këtë drejtim, Hodža ka kërkuar nga kryetari i komunës dhe delegatët që të ndërmerren hapa konkretë për ndërtimin e një ambulance të re në këtë fshat, si dhe për rritjen e numrit të stafit shëndetësor. Sipas tij, sigurimi i kujdesit shëndetësor adekuat dhe në kohë për qytetarët është jetik dhe nuk duhet të neglizhohet. “Gora e meriton dhe duhet të ketë kushte më të mira jetese”, ka deklaruar ndër të tjera ai. Banorët e kësaj zone prej kohësh kanë shprehur nevojën për përmirësim të infrastrukturës shëndetësore, duke e konsideruar këtë çështje si një nga prioritetet kryesore për mirëqenien e komunitetit. — Dragash Info