Nderohet imamin Xhevat ef. Fetahi me mirënjohje për kontribut të veçantë në Bresanë të Dragashit
Myftiu Naim ef. Tërnava nderon imamin Xhevat ef. Fetahi me mirënjohje për kontribut të veçantë në Bresanë të Dragashit
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka ndarë sot një mirënjohje për imamin nga Bresana e Dragashit, Xhevat ef. Fetahi, duke e shpallur imam të dalluar të vitit, me motivacion për kontributin e tij të çmuar në shërbim të fesë dhe besimtarëve. Imam Xhevat ef. Fetahi vlerësohet për përkushtimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të xhematit, punën e palodhshme dhe angazhimin e veçantë në fushën e mësim-besimit, ku ka arritur suksese edhe në garat republikane të kësaj fushe. Ai njihet si një nga imamët më të rregullt dhe të përkushtuar, i cili nuk mungon në asnjë vakt të namazit në xhaminë historike të Kukli Begut. Me këtë përkushtim shumëvjeçar, ai ka fituar respektin dhe zemrat e besimtarëve të zonës që nga fillimi i shërbimit të tij e deri më sot. Bashkësia Islame e Kosovës thekson se shembulli i Xhevat ef. Fetahit përfaqëson modelin e një imami të devotshëm dhe modest, i cili me punën e tij frymëzon gjeneratat e reja që synojnë t’i shërbejnë fesë, besimtarëve dhe atdheut. Në fund, është shprehur lutje që Zoti i Madhëruar t’i japë shëndet dhe mbarësi në jetë, si dhe të shtojë njerëz me vlera dhe përkushtim të ngjashëm.