Deputeti Kërqeli mohon akuzat e familjes Geci: “Nuk kam lidhje me fjalimin, qëndrimi im për UÇK-në është publik”
Deputeti Kërqeli mohon akuzat e familjes Geci: “Nuk kam lidhje me fjalimin, qëndrimi im për UÇK-në është publik” Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërqeli, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Nehat Geci, ku u përmend emri i tij në lidhje me fjalimin e deputetit Fatos Geci. Deklaratat e Nehat Gecit erdhën pasi ai pretendoi se fjalimi i mbajtur nga Fatos Geci nuk ishte shkruar nga vetë deputeti, por nga Ilir Kërqeli. Megjithatë, vetë Fatos Geci e kishte mohuar më herët këtë pretendim, duke theksuar publikisht se fjalimin e kishte përgatitur vetë. Përmes një video reagimi, Kërqeli ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara. Ai theksoi se qëndrimi i tij lidhur me krerët e UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës është i njohur publikisht dhe i pandryshuar. “Sot në mëngjes lexova disa deklarata ku është përmendur emri im sa i përket fjalimit. Vetë deputeti ka reaguar se fjalimin e ka shkruar vetë. Sa më përket mua, qëndrimi im për krerët e UÇK-së në Hagë dihet publikisht,” ka deklaruar Kërqeli. Ai ka rikujtuar gjithashtu angazhimin e tij në mbështetje të të paraburgosurve në Hagë, duke përmendur vizitën e tij në vitin e parë të paraburgimit, pjesëmarrjen në protesta si dhe votimin për buxhet shtesë në mbështetje të të akuzuarve. Në fund, Kërqeli theksoi se ndjeu obligim moral për të dhënë këtë sqarim, edhe pse sipas tij, qëndrimet e tij janë të njohura për publikun, duke uruar që të paraburgosurit të kthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre. Video e plotë e reagimit mund ta shikoni këtu: Shiko videon e plotë: https://www.facebook.com/share/r/1DhdRmhXmy/ — Dragash Info