Qendrore

Promovohet në Tiranë vepra shkencore e prof. dr. Nuridin Ahmetit mbi albanologjinë në Jugosllavi

22.04.2026. 2 min čitanja

Promovohet në Tiranë vepra shkencore e prof. dr. Nuridin Ahmetit mbi albanologjinë në Jugosllavi   Në ambientet e Akademisë së Shkencave në Tiranë, në kuadër të Panairit të V-të Mbarëkombëtar të Librit Shkencor dhe Akademik, u bë promovimi i dy vëllimeve studimore të përgatitura nga prof. dr. Nuridin Ahmeti, të botuara në vitin 2025. Bëhet fjalë për veprat: “Albanologjia në Jugosllavi sipas arkivave të Shqipërisë (1946–1973)” dhe “Albanologjia në Jugosllavi sipas arkivave të Shqipërisë (1974–1990)”, të cilat trajtojnë në mënyrë të dokumentuar zhvillimet e studimeve albanologjike në hapësirën ish-jugosllave, të mbështetura në burime arkivore të Shqipërisë. Gjatë promovimit, u theksua rëndësia shkencore e këtyre studimeve për historiografinë shqiptare dhe për ndriçimin e proceseve akademike që lidhen me albanologjinë në periudha të ndryshme historike. Referues në këtë aktivitet ishin prof. dr. Hysen Matoshi dhe prof. asoc. dr. Hasan Bello, të cilët vlerësuan kontributin e autorit dhe qasjen e tij kërkimore në trajtimin e materialeve arkivore. Në aktivitet morën pjesë studiues dhe kolegë nga Tirana dhe Prishtina, duke dëshmuar bashkëpunimin akademik ndërmjet institucioneve dhe studiuesve shqiptarë në rajon. — Dragash Info