Qendrore

12 kandidatët për anëtarë të KPM-së procedohen për votim në Kuvend

20.04.2026. 2 min čitanja

12 kandidatët për anëtarë të KPM-së procedohen për votim në Kuvend     Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) ka përfunduar procesin e intervistimit dhe ka përzgjedhur 12 kandidatë, të cilët do të procedohen për votim në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.   Gjatë mbledhjes së mbajtur të hënën, komisioni ka intervistuar gjithsej 23 kandidatë, ndërsa në listën përfundimtare janë përfshirë më të vlerësuarit sipas pikëzimit.   Komisioni është përbërë nga deputetët: Alban Bajrami (kryetar), Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Egzon Azemi, Fitim Haziri, Nezir Kraki, Ariana Musliu Shoshi, Ganimete Musliu, Ermal Sadiku, Igor Simiq, Fridon Lala dhe Time Kadrijaj. Ndërkohë, deputeti Nezir Kraki nuk ka marrë pjesë në intervistimin e kandidatëve.   Sipas rezultateve të intervistimit, kandidatët nga radhët e komunitetit shqiptar me më së shumti pikë janë: Drita Morina, Besnik Berisha, Majlinda Aliu, Petrit Hasanaj, Vjona Sylejmani Shabani, Luljeta Aliu Krasniqi, Vlora Berisha dhe Hysni Mustafa.   Ndërkaq, nga komunitetet jo-shumicë janë përzgjedhur: Fatih Basha, Suada Dzogovic, Serpin Emrusi Halce dhe Ajten Kodraci.   Kryetari i komisionit, Alban Bajrami, bëri të ditur se procesi i përzgjedhjes ka përfshirë dy shpallje të bashkuara të konkurseve, ndërsa për secilën pozitë në seancë plenare do të propozohen nga dy kandidatë.   Komisioni ishte konstituuar më 8 prill 2026, ndërsa lista e kandidatëve ishte shqyrtuar më 17 prill. Nga 30 kandidatë të shqyrtuar fillimisht, tre u eliminuan në fazën e parë, 27 u ftuan për intervistim, katër nuk u paraqitën, ndërsa një kandidat u eliminua pas intervistimit.   Procesi ishte përcjellë edhe me vonesa, pasi në disa raste mungesa e kuorumit kishte pamundësuar shqyrtimin e listës më 10, 14 dhe 17 prill.   — Dragash Info