Qendrore

Fondi Humanitar përgënjeshtron Shkëlzen Gashin: Të dhënat në ekspozitë nuk përkojnë me listat tona

28.03.2026. 2 min čitanja

Fondi Humanitar përgënjeshtron Shkëlzen Gashin: Të dhënat në ekspozitë nuk përkojnë me listat tona Fondi për të Drejtën Humanitare ka reaguar lidhur me pretendimet e autorit Shkëlzen Gashi për burimin e të dhënave të përdorura në librin dhe ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Përfaqësuesi i këtij fondi, Bekim Blakaj, në një përgjigje për mediumin Paparaci, ka bërë të ditur se të dhënat e paraqitura në ekspozitë nuk përputhen me listat e organizatës së tyre. Sipas Blakajt, lista e Fondit Humanitar përmban vetëm të dhëna bazë për viktimat, por nuk përfshin informacione nëse ato kanë qenë të armatosura në momentin e vrasjes apo jo. “Në listën tonë nuk ceket askund se ata kanë qenë të armatosur në momentin e vrasjes. Ne kemi një listë me viktimat dhe të dhënat e tyre, por nuk kemi paraqitur nëse kanë qenë të armatosur apo jo”, ka deklaruar Blakaj. Ai gjithashtu ka theksuar se edhe numri i viktimave të paraqitura për Masakrën e Burgut të Dubravës në ekspozitë nuk përkon me të dhënat e organizatës. Sipas tij, në listën e përpiluar nga Fondi Humanitar figurojnë rreth 110 persona të vrarë në këtë masakër, duke kundërshtuar shifrat e prezantuara nga Gashi. Ndërkohë, vetë Gashi kishte deklaruar më herët se të dhënat e përdorura në ekspozitë i kishte bazuar pikërisht në listën e Fondit Humanitar. Ekspozita në fjalë ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe institucional, ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vendosur anulimin e saj dhe ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet që e kanë mbështetur financiarisht këtë projekt. — Dragash Info