Skandal i ri: Xhafer Tahiri akuzon MPJ-në për financim të librit me të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë
Skandal i ri: Xhafer Tahiri akuzon MPJ-në për financim të librit me të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë Ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka hedhur akuza të rënda ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), duke pretenduar se kjo ministri ka financuar me 15 mijë euro botimin e një libri për masakrat në Kosovë, i cili sipas tij përmban të dhëna të pasakta. Sipas Tahirit, përfitues i kësaj shume ka qenë Shkëlzen Gashi, autor i librit në fjalë, i cili tashmë është bërë pjesë e debatit publik për shkak të përmbajtjes së tij. Ai theksoi se libri nuk është ndalur vetëm në publikim, por është shpërndarë nga MPJ tek përfaqësues ndërkombëtarë që kanë vizituar Kosovën, si dhe në ambasadat e Kosovës nëpër botë. “Kam informacione që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka dhënë 15,000€ për botimin e librit të Shkëlzen Gashit me të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë, e ky libër është shpërndarë pastaj nga MPJ te ndërkombëtarët që kanë vizituar Kosovën dhe ambasadat e Kosovës nëpër botë. #Skandali është shumë më i thellë se veç ekspozita”, ka shkruar Tahiri. Këto deklarata vijnë në një kohë kur debati për ekspozitën dhe publikimet lidhur me masakrat e luftës në Kosovë ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht nga ish të burgosur politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me këto pretendime. — Dragash Info