Nxënësit pa ngrohje në Shkollën “Fetah Sylejani”, Reagon LVV në Sharr dhe kërkon transparencë
Nxënësit pa ngrohje në Shkollën “Fetah Sylejani”, Reagon LVV në Sharr dhe kërkon transparencë Komuna e Sharrit është përfshirë në një debat publik lidhur me kushtet në shkollën “Fetah Sylejani”, pas reagimeve të fundit nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në këtë komunë. Në një deklaratë publike, LVV ka kundërshtuar pretendimet e kryetarit të komunës, Xheladin Xheladini, dhe ekzekutivit lokal, të cilët kanë pohuar se nxënësve nuk u ka munguar ngrohja gjatë procesit mësimor. Sipas LVV-së, për vitin 2026 është paraparë furnizimi me 55 tonë pelet për këtë shkollë, duke publikuar edhe kontratën përkatëse si dëshmi. Megjithatë, ata pretendojnë se realiteti në terren ka qenë ndryshe, duke theksuar se për më shumë se 30 ditë mësimi është zhvilluar në temperatura të ulëta, me orar të reduktuar, ndërsa në disa raste nxënësit nuk kanë ndjekur fare mësimin. Reagimi vjen edhe pas deklarimeve të asambleistit Uran Halimi, i cili kishte ngritur shqetësime për mungesën e ngrohjes në këtë institucion arsimor. Në deklaratë, LVV gjithashtu hedh dyshime mbi procedurat e pranimit të peletit, duke pretenduar se disa anëtarë të komisionit janë detyruar të nënshkruajnë për sasi që, sipas tyre, nuk kanë arritur në shkollë. Për këtë çështje, ata kërkojnë që të ketë hetime nga organet e rendit. Një tjetër pikë që ngre pikëpyetje, sipas LVV-së, është pranimi i druve për ngrohje në shkollë, ndonëse sistemi i ngrohjes thuhet se funksionon me pelet. Nga Qendra e LVV-së në Sharr kërkohet transparencë e plotë dhe përgjegjësi institucionale lidhur me këtë situatë, të cilën e cilësojnë si të papranueshme për nxënësit dhe prindërit.
— Dragash Info