Kurti: Askush të mos druhet nga Ligji për të Huajt, do të pajisen me leje qëndrimi stafi akademik dhe shëndetësor
Kurti: Askush të mos druhet nga Ligji për të Huajt, do të pajisen me leje qëndrimi stafi akademik dhe shëndetësor Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga zbatimi i Ligjit për të Huajt, duke theksuar se procesi do të sjellë përfitime dhe jo kufizime për komunitetet që jetojnë në vend. Pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Kurti bëri të ditur se zbatimi i këtij ligji dhe çështja e automjeteve do të realizohen në koordinim të ngushtë me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe me serbët lokalë. Sipas tij, qëllimi i këtij procesi është integrimi dhe fuqizimi i të drejtave të qytetarëve, e jo zvogëlimi i tyre. “Qëllimi final i inkorporimit nuk është zvogëlim i cilësdo të drejtë, por fuqizim i tyre. Rrjedhimisht, asnjë qytetar i Kosovës nuk e ka arsyen më të vogël që t’i druhet këtij inkorporimi, por t’i gëzohet benefiteve nga i gjithë ky proces”, ka deklaruar Kurti. Ai theksoi se Qeveria do të fillojë edhe procesin e inkorporimit të sistemit arsimor dhe shëndetësor në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës, duke siguruar që shërbimet bazike për qytetarët të mos pengohen. Në këtë drejtim, krerët lokalë do t’i dorëzojnë Qeverisë listat e stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Këto lista do të përdoren si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për shtetasit e huaj që aplikojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. — Dragash Info