Patriarku serb dërgon letër liderëve botërorë kundër zbatimit të Ligjit për të huajt në Kosovë
Patriarku serb dërgon letër liderëve botërorë kundër zbatimit të Ligjit për të huajt në Kosovë Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, u ka dërguar letër disa liderëve botërorë duke kërkuar që të përdorin autoritetin e tyre për të ndaluar zbatimin e Ligjit për të huajt në Kosova. Sipas njoftimit të kësaj kishe, letra u është dërguar disa figurave të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Papa Leo XIV, presidentin rus Vladimir Putin, presidentin amerikan Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrin britanik Keir Starmer. Po ashtu, letra u është dërguar edhe kancelarit gjerman Friedrich Merz, sekretarit të përgjithshëm të Kombet e Bashkuara, Antonio Guterres, si dhe drejtorit të përgjithshëm të UNESCO, Khaled El Enani. Në letër, Patriarku Porfirije pretendon se Ligji për të huajt është “ekstremisht diskriminues” dhe kërkon që autoritetet ndërkombëtare të ndikojnë që Prishtina të pezullojë zbatimin e tij. Ai ka deklaruar se ky ligj, sipas tij, prek sistemin e arsimit dhe shëndetësisë së serbëve në Kosovë, si dhe mund të ndikojë në largimin e tyre nga vendi. Ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë sqaruar se Ligji për të huajt është miratuar që në vitin 2013, ndërsa ligji për automjetet në vitin 2017. Zbatimi i tyre ishte planifikuar për fundin e vitit të kaluar, por u shty disa herë, ndërsa aktualisht është paraparë të nisë nga 15 marsi. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar fushata informuese në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze për t’i njoftuar qytetarët dhe shtetasit e huaj për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në Kosovë. Sipas këtij ligji, të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë duhet të posedojnë dokument të vlefshëm udhëtimi, të respektojnë afatin dhe qëllimin e qëndrimit dhe të lajmërojnë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh. Gjithashtu, qëndrimi afatshkurtër lejohet deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh, ndërsa për qëndrime më të gjata kërkohet pajisje me leje qëndrimi dhe leje pune sipas procedurave ligjore. Kundërshtime ndaj këtyre ligjeve kanë ardhur nga autoritetet në Serbia dhe nga Lista Serbe, të cilët pretendojnë se ato prekin serbët që jetojnë në veri të Kosovës. Ndërkohë, subjekti opozitar në Serbi, Partia e Re Demokratike, ka paralajmëruar protestë nga Rashka drejt pikës kufitare Jarinjë, me sloganin “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”. — Dragash Info