Lokale

Zyrtarë nga Kaçaniku vizitojnë Dragashin për t’u njohur me projektin e ujësjellësit

12.03.2026. 2 min čitanja

Zyrtarë nga Kaçaniku vizitojnë Dragashin për t’u njohur me projektin e ujësjellësit Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka pritur në një takim katër drejtorë të drejtorive komunale nga Kaçanik, të cilët shprehën interesim për t’u njohur nga afër me projektin madhor të ujësjellësit të realizuar nga Dragash. Gjatë takimit të zhvilluar në zyrën e kryetarit, u diskutua për procesin e planifikimit, realizimit dhe menaxhimit të këtij projekti strategjik, i cili siguron furnizim me ujë të pijshëm për 15 fshatra dhe qytetezën e Dragashit. Po ashtu, u theksua mundësia që përvoja e Komunës së Dragashit të shërbejë si model edhe për komuna të tjera, si Kaçaniku, që synojnë të përmirësojnë furnizimin me ujë për qytetarët e tyre. Pas takimit, delegacioni nga Kaçaniku zhvilloi edhe një vizitë në Fabrikën për Përpunimin e Ujit në Radeshë, ku mysafirët patën mundësinë të shohin nga afër kapacitetet dhe funksionimin e sistemit modern të trajtimit të ujit, i cili garanton furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor për banorët e komunës. Komuna e Dragashit e ka përfunduar me sukses këtë projekt madhor të ujësjellësit në shtator të vitit të kaluar, një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në historinë e komunës. Ky projekt përbën një hap të madh drejt sigurimit të ujit të pijshëm për mijëra qytetarë, duke dëshmuar përkushtimin për zhvillim, mirëqenie dhe një të ardhme më të mirë për banorët e Dragashit. — Dragash Info