Zjarr në Dragash: Banorët reagojnë menjëherë, shërbimet emergjente vonohen Dragash, 4 janar 2026 – Një zjarr i madh s…
Zjarr në Dragash: Banorët reagojnë menjëherë, shërbimet emergjente vonohen
Dragash, 4 janar 2026 – Një zjarr i madh shpërtheu mbrëmjen e djeshme në një zonë të banuar të qytezës së Dragashit, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe pronën e banorëve. Sipas një qytetari të angazhuar në shuarjen e zjarrit, Durim Zyberi, reagimi i shpejtë i fqinjëve dhe banorëve ishte vendimtar për parandalimin e dëmeve të mëdha.
“Fatmirësisht, falë solidaritetit të qytetarëve, zjarri u arrit të shuhet pa shkaktuar dëme të mëdha. Por, ajo që është shqetësuese është vonesa e shërbimit zjarrfikës, i cili arsyetoi se kishte qenë në gjumë,” tha Zyberi në një reagim të tij.
Ngjarja ka rikujtuar rëndësinë e funksionimit 24-orësh të shërbimeve emergjente. Një vonesë e tillë mund të kishte pasur pasoja katastrofike për jetën dhe pronën e qytetarëve të Dragashit.
Durim Zyberi përmendi në veçanti kontributin e z. Asllan Miftarit, i cili shihet edhe në video duke vrapuar për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit. “Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve, u shmang një fatkeqësi e madhe.
Ky veprim është shembull i vërtetë i bashkësisë dhe humanizmit që mban gjallë qytezën tonë edhe në momentet më të vështira,” shtoi ai.
Ngjarja është një alarm serioz për përmirësimin e shpejtë të shërbimeve emergjente në komunën e Dragashit, ndërsa qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe masa parandaluese për të ardhmen.
— Dragash Info