Zjarr i madh në fabrikë stiropori në Mushnikovë, dëme mbi 400 mijë euro
Zjarr i madh në fabrikë stiropori në Mushnikovë, dëme mbi 400 mijë euro
Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të së martës në fshatin Mushnikovë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në një fabrikë të stiroporit. Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 03:00 është pranuar informata për zjarrin, ndërsa njësitë policore dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë, duke arritur ta lokalizojnë dhe më pas ta shuajnë atë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë dhe njësia e krim-teknikës, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. Sipas informacioneve fillestare nga dëshmitarët dhe pronari i fabrikës, dyshohet se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një makineri për thithjen e pluhurit. Si pasojë e zjarrit, dëmi material vlerësohet të jetë mbi 400 mijë euro, bazuar në deklarimet e pronarit. Ndërkohë, një punonjës i fabrikës është dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, pasi kishte probleme me frymëmarrjen si pasojë e tymit, por fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime të dukshme. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe, me urdhër të tij, është iniciuar rasti “Incident zjarri”. — Dragash Info