Zgjerohen hetimet për manipulim të votave në Prizren, intervistohen 28 të dyshuar – 5 ndalohen për 48 orë Prokuroria…
Zgjerohen hetimet për manipulim të votave në Prizren, intervistohen 28 të dyshuar – 5 ndalohen për 48 orë
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zgjeruar hetimet lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, gjatë ditës së sotme janë intervistuar gjithsej 28 persona të dyshuar, si dhe 6 dëshmitarë, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për këtë rast.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pesë (5) persona janë ndaluar për 48 orë. Katër prej tyre janë në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, të dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, e paraparë me nenin 216 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa një person tjetër, në cilësinë e Koordinatorit të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) për Prizren, dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
“Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë dhe autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e veprimeve të tjera hetimore në ditët në vijim.
— Dragash Info