Zgjatet për 12 muaj afati për legalizimin e ndërtimeve pa leje Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infra…
Zgjatet për 12 muaj afati për legalizimin e ndërtimeve pa leje
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka marrë vendim për vazhdimin e afatit për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në përputhje me nenin 9, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 06/L-024 për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.
Sipas vendimit të MMPHI-së, afati për aplikim është zgjatur për herë të parë për një periudhë prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh, duke filluar nga data e nënshkrimit të vendimit. Ky vendim është marrë si rezultat i nevojës për kohë shtesë, me qëllim të realizimit të plotë të objektivave të këtij ligji dhe për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të përfundojnë procedurat e nevojshme.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se qytetarët e interesuar për legalizimin e objekteve të tyre mund të aplikojnë në Zyrat e Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUPMM), të cilat ndodhen në objektin e ri të Komunës së Vitisë.
Institucionet përgjegjëse u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë afat shtesë dhe të kompletojnë dokumentacionin e kërkuar brenda periudhës së përcaktuar, në mënyrë që procesi i legalizimit të zhvillohet pa vonesa dhe komplikime të mëtejme.
— Dragash Info