Zbatohet plotësisht Sistemi i Hyrje/Daljes EES në Zonën Schengen
Zbatohet plotësisht Sistemi i Hyrje/Daljes EES në Zonën Schengen Prishtinë, 10.04.2026 Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës se nga sot ka hyrë në fuqi zbatimi i plotë i Sistemit të Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Zonës Schengen. Sipas njoftimit zyrtar, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës thekson se sistemi është implementuar gradualisht që nga 12 tetori 2025 dhe tashmë ka kaluar në fazën e zbatimit të plotë në të gjitha shtetet anëtare të Zona Schengen. Sistemi EES është një platformë e automatizuar dhe biometrike që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së. Ai mbledh të dhëna si gjurmët e gishtërinjve, fotografitë e fytyrës dhe të dhënat e dokumenteve të udhëtimit, duke zëvendësuar vulosjen manuale të pasaportave. Nga tani, sistemi mundëson edhe identifikimin automatik të qëndrimeve të tejkaluara në territorin Schengen. MPB rikujton se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë në Zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore, me kusht që të posedojnë pasaportë biometrike valide, të kenë dëshmi për qëllimin e udhëtimit, mjete të mjaftueshme financiare, biletë kthimi ose vazhdimi udhëtimi, si dhe të mos jenë në listat e ndalimit të hyrjes. Autoritetet kanë apeluar që qytetarët të jenë të informuar mirë mbi rregullat e reja të udhëtimit për të shmangur problemet gjatë hyrjes në vendet e Schengenit. — Dragash Info