Zafir Berisha: Zgjedhjet e reja janë mjet politik për Kurtin, jo rrezik Ish-deputeti dhe veprimtari politik Zafir Ber…
Zafir Berisha: Zgjedhjet e reja janë mjet politik për Kurtin, jo rrezik
Ish-deputeti dhe veprimtari politik Zafir Berisha ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se “ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje”.
Sipas Berishës, kjo deklaratë nuk përbën asgjë të re, pasi, siç thotë ai, Kurti e ka paralajmëruar një skenar të tillë që para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Berisha akuzon Kurtin për mashtrim politik, duke pretenduar se kryeministri ka vërejtur rritje të praktikave të paligjshme gjatë fushatës, përfshirë festime me goma traktori, “kusia” dhe blerje vote me nga 100 euro, të cilat, sipas tij, kanë dhënë rezultat elektoral.
“Për Albin Kurtin, zgjedhjet e reja nuk janë rrezik, por mjet politik, edhe pse shteti po fundoset,” shprehet Berisha, duke shtuar se kjo qasje po dëmton interesin publik dhe stabilitetin institucional të vendit.
Sipas tij, karta e fundit që i ka mbetur Qeverisë për manipulim elektoral është rroga e 13-të, e cila, siç thotë Berisha, nuk do të realizohet tani, por vetëm pasi të caktohet data e zgjedhjeve, për t’u përdorur si “karrem elektoral” për një tjetër mashtrim masiv të qytetarëve.
Në reagimin e tij, Berisha ngre edhe një pyetje politike në raport me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, duke iu referuar kritikave të saj publike ndaj Qeverisë së Kosovës lidhur me dështimin e anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës.
Ai citon deklaratën e Presidentes Osmani, e cila kishte theksuar se letra për asociacionin është dërguar në emër të Qeverisë së Kosovës pa konsultim institucional, duke e quajtur këtë veprim “jo metodë dhe rrugë të mirë” dhe duke kritikuar mungesën e koordinimit me Presidencën.
“A do t’ia falë Albini këto sulme publike Presidentes Osmani?” pyet Berisha, duke vënë në pikëpyetje raportet brenda pushtetit aktual.
— Dragash Info