Botë

Zafir Berisha thirrje Prokurorisë për shtesat: Dyshime për vjedhje milionëshe nga përfitues që s’jetojnë në Kosovë Po…

14.01.2026. 2 min čitanja

Zafir Berisha thirrje Prokurorisë për shtesat: Dyshime për vjedhje milionëshe nga përfitues që s’jetojnë në Kosovë

Politikani kosovar, Zafir Berisha, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë hetime lidhur me përfitimin e shtesave për fëmijë dhe lehona nga persona që nuk jetojnë në Kosovë, por që dyshohet se kanë përfituar padrejtësisht mjete publike.

Berisha, përmes një reagimi publik në rrjetin social Facebook, ka shpërndarë një udhëzues zyrtar për aplikimin e shtesave, ku theksohet qartë se të drejtë aplikimi kanë vetëm fëmijët deri në moshën 16-vjeçare që kanë shtetësi të Kosovës dhe janë banorë rezidentë në vend.

Sipas tij, pavarësisht këtyre kritereve ligjore, në fund të vitit të kaluar ka ndodhur ajo që ai e cilëson si “vjedhje masive e miliona eurove nga taksat e qytetarëve”, e kryer nga individë që nuk jetojnë fare në Kosovë.

“Prokuroria e shtetit të Kosovës duhet të lëvizë, pasi është në dijeni se në fund të vitit të kaluar ka ndodhur një vjedhje masive e miliona eurove nga taksat tona, prej disa hajdutëve që nuk jetojnë në Kosovë dhe që duhet të dalin para organeve të drejtësisë,” ka deklaruar Berisha.

Ai ka theksuar se falsifikimi dhe mashtrimi për të përfituar mjete publike përbëjnë vepra penale të sanksionuara me ligj dhe ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete.

“Falsifikimi dhe mashtrimi janë vepra penale.
Duhet të merren masa, pasi bëhet fjalë për hajdutë recidivistë,” ka shtuar Berisha.

Derisa institucionet ende nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj këtyre pretendimeve, kjo çështje ka hapur debat publik mbi kontrollin institucional, verifikimin e rezidencës dhe mbrojtjen e buxhetit shtetëror nga keqpërdorimet.

— Dragash Info

Original Facebook objava