Zafir Berisha ngre dilema për ndryshimin politik në Kosovë: Kritikë ndaj PDK-së dhe LDK-së Politikani Zafir Berisha k…
Zafir Berisha ngre dilema për ndryshimin politik në Kosovë: Kritikë ndaj PDK-së dhe LDK-së
Politikani Zafir Berisha ka reaguar publikisht me një qëndrim kritik lidhur me zhvillimet politike në Kosovë, duke ngritur pikëpyetje serioze rreth mundësisë së ndryshimit të, siç e quan ai, “regjimit popullist të Albinit”.
Berisha shtron pyetjen nëse një ndryshim i tillë është i mundur në rrethanat aktuale politike, kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK), sipas tij, është e kënaqur vetëm pse ka ruajtur elektoratin ekzistues, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende vazhdon të kërkojë justifikime për dështimin në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas Berishës, vetëkënaqësia dhe vetëarsyetimi janë metoda që nuk i ndihmojnë partitë politike të kapërcejnë dështimet, përkundrazi, ato i çojnë drejt dështimit të radhës. Ai thekson se mungesa e reflektimit real po e dëmton seriozisht opozitën.
“Nëse nuk ka reflektim të thellë dhe vetëkritikë reale, si dhe tolerancë të brendshme organizative për një qëllim më fisnik se ambiciet e sëmura të ndonjë lideri apo individi me influencë brenda partive, ndryshimi mbetet i pamundur,” ka theksuar Berisha.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur në skenën politike kosovare po shtohen debatet për rolin e opozitës, përgjegjësinë për humbjet zgjedhore dhe nevojën për reforma të brendshme partiake.
— Dragash Info