Zafir Berisha: Në vitin 1998 e ftova të bashkohej luftës, sot feston me “kusia” për Kurtin Ish-deputeti i Kuvendit të…
Zafir Berisha: Në vitin 1998 e ftova të bashkohej luftës, sot feston me “kusia” për Kurtin
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me festimet e disa mërgimtarëve pas rezultateve zgjedhore, duke ndarë një përvojë personale nga viti 1998.
Berisha ka treguar se një nga personat që së fundmi është parë duke festuar me “kusia” për kryeministrin Albin Kurti, e kishte njohur gjatë kohës së luftës, kur të dy ndodheshin në mërgim.
Sipas tij, në vitin 1998 kishte ndjerë obligim moral dhe kombëtar për t’iu përgjigjur luftës për lirinë e Kosovës dhe kishte ftuar edhe këtë person që t’i bashkohej rezistencës së armatosur. Megjithatë, ai thotë se ftesa ishte refuzuar me arsyetimin se personi vuante nga probleme serioze me zemrën.
“Pas 27 vitesh, e pashë të njëjtin njeri shëndosh e mirë, duke festuar dhe brohoritur, gjë që më la të befasuar”, ka shkruar Berisha.
Ai ka shtuar se, sipas tij, ky rast pasqyron një paradoks mes qëndrimeve të dikurshme dhe sjelljeve të sotme të disa individëve, duke ironizuar faktin se dikush që dikur refuzoi luftën për arsye shëndetësore, sot shfaqet aktiv në manifestime politike.
Deklarata e Berishës ka nxitur reagime të ndryshme në rrjete sociale, ndërsa ai ka theksuar se qëndrimi i tij buron nga përvoja personale dhe nga ajo që e quan mungesë koherence morale tek disa individë.