Zafir Berisha: Hetimi për vjedhjen e votave në Prizren nuk guxon të ndalet te ekzekutorët Ish-deputeti Zafir Berisha…
Zafir Berisha: Hetimi për vjedhjen e votave në Prizren nuk guxon të ndalet te ekzekutorët
Ish-deputeti Zafir Berisha ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit në Qendrën e Numërimit të Votave (QKN) në Prizren, duke i quajtur përpjekjet e disa akterëve politikë për t’u distancuar nga manipulimi i votave si “qesharake dhe të mjerueshme”.
Sipas Berishës, bëhet fjalë për një zinxhir të organizuar të vjedhjes së votës, ku përgjegjësia nuk mund të mbulohet duke fajësuar vetëm individë të nivelit të ulët.
“Krimi që ka ndodhur në QKN në Prizren ka hierarki të qartë. Fillimisht, kapot e bandave nga të gjitha partitë janë pajtuar për operacionin e vjedhjes, e më pas ky dakordim është bartur te vartësit në terren, të cilët kanë zbatuar skenarin,” ka deklaruar Berisha.
Ai thekson se Prokuroria e Shtetit e ka të qartë se ambientet ku është zhvilluar numërimi i votave janë të mbuluara me kamera sigurie, çka sipas tij e bën të lehtë identifikimin e personave të përfshirë në këtë proces.
“Nuk duhet të jetë e vështirë të identifikohet se kush ka ndërhyrë, kush ka dhënë urdhra dhe përmes kujt janë përcjellë ata, përfshirë edhe komunikimet telefonike që duhet t’u merren të gjithë ‘supervizorëve’ të votimit,” ka shtuar ai.
Berisha paralajmëron se nëse drejtësia ndalet vetëm te ekzekutorët e vegjël, ndërsa organizatorët kryesorë mbesin të paprekur, atëherë procesi nuk mund të quhet hetim i mirëfilltë.
“Nëse kapot mbesin të paprekur, kjo nuk do të jetë drejtësi, por bashkëfajësi,” ka përfunduar Berisha.
— Dragash Info