VV e shtyu drejt emigrimit militantin e saj, PDK i hapi derën e punës në Kosovë Albert Shabani, i njohur në opinion s…
VV e shtyu drejt emigrimit militantin e saj, PDK i hapi derën e punës në Kosovë
Albert Shabani, i njohur në opinion si një nga mbështetësit më të zëshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka hequr dorë nga vendimi për t’u larguar drejt Gjermanisë, vetëm një ditë pasi kishte bërë publik njoftimin për emigrim.
Më 25 janar 2026, Shabani kishte deklaruar se po largohej nga Kosova për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së përkrahjes pas angazhimit të tij politik gjatë zgjedhjeve. Në një mesazh emocional të publikuar në rrjete sociale, ai kishte shprehur zhgënjim të thellë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke përmendur edhe sakrificat familjare dhe gjendjen e rëndë ekonomike, çka sipas tij e kishte bërë të pashmangshëm largimin nga vendi.
Megjithatë, vetëm një ditë më pas, zhvillimet morën tjetër rrjedhë.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Qendrim Kryeziu, ka bërë të ditur se e ka pritur Shabanin në zyrën e tij dhe se i ka siguruar një vend pune në kompaninë ISP – Broadcast.
Në një postim publik në Facebook, Kryeziu ka njoftuar se ka arritur ta bindë Shabanin të mos e ndërmarrë hapin e emigrimit dhe se duke filluar nga data 7 mars, ai do të jetë pjesë e kompanisë së tij.
“Jam i nderuar që pata rastin ta pres sot në zyrën time dhe ta bind që të mos e ndërmarrë këtë hap të dhimbshëm. Që nga 7 marsi, ai do të jetë pjesë e kompanisë ISP – Broadcast”, ka shkruar Kryeziu.
Ai ka theksuar se dallimet politike nuk duhet të jenë pengesë për të ndihmuar qytetarët dhe se çdo individ ka të drejtë të ruajë bindjet e veta politike pa presion.
“Albert Shabani dhe të tjerë si ai kanë të drejtë t’i ruajnë bindjet dhe preferencat e tyre politike. Por një gjë duhet ta kemi të qartë: Kosova është mbi partitë”, ka theksuar Kryeziu, duke e cilësuar emigrimin e të rinjve si një nga dëmet më të mëdha për vendin.
Rasti i Albert Shabanit ka nxitur reagime dhe diskutime të shumta në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje zhgënjimin e aktivistëve politikë pas zgjedhjeve dhe mungesën e mbështetjes institucionale, si dhe fenomenin e largimit të të rinjve nga Kosova për arsye ekonomike.
— Dragash Info



