Vulin: SHBA-të po i bëjnë Venezuelës atë që NATO ia bëri Jugosllavisë në vitin 1999 Ish-ministri serb i Mbrojtjes, Al…
Vulin: SHBA-të po i bëjnë Venezuelës atë që NATO ia bëri Jugosllavisë në vitin 1999
Ish-ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Venezuelës përbëjnë një përsëritje të asaj që, sipas tij, NATO-ja e udhëhequr nga SHBA-të i bëri Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999.
Në një deklaratë për agjencinë ruse TASS, Vulin ka kritikuar ashpër operacionin amerikan në Venezuelë, duke e cilësuar bombardimin e një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara dhe “rrëmbimin e presidentit të tij” si një paralajmërim serioz për shtetet që nuk posedojnë armë bërthamore.
“Bombardimi i një vendi anëtar të OKB-së dhe rrëmbimi i presidentit të tij është një paralajmërim i qartë për të gjithë ata që nuk kanë armë bërthamore,” ka deklaruar Vulin, citojnë mediat serbe.
Sipas tij, mesazhi që po dërgohet në arenën ndërkombëtare është se shtetet e vogla ose duhet të armatosen në atë nivel që një sulm ndaj tyre të bëhet tepër i kushtueshëm, ose të heqin dorë nga politikat e tyre të pavarura.
Vulin ka theksuar se Rusia duhet të vazhdojë përpjekjet për krijimin e një rendi të ri të sigurisë globale. Në të kundërtën, ai paralajmëron krijimin e asaj që e quan një “koalicion frike”, të udhëhequr nga Perëndimi, ku do të përfshihen shtete që kanë frikë se mund të pësojnë fatin e Jugosllavisë apo Venezuelës.
Sipas tij, këto vende, të shtyra nga frika, mund të jenë të gatshme të binden pa kushte dhe madje të përfshihen në konflikte të mundshme kundër Rusisë ose Kinës.
— Dragash Info