Botë

Vuçiç “shpërthen” pas arrestimit të Maduros: Rezoluta 1244 e Kosovës ka rënë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç,…

04.01.2026. 3 min čitanja

Vuçiç “shpërthen” pas arrestimit të Maduros: Rezoluta 1244 e Kosovës ka rënë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar ashpër pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro, duke deklaruar se rendi botëror dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara kanë rënë plotësisht.

Deklaratat e tij u bënë pas një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku Vuçiç shprehu shqetësime të thella për, siç tha ai, shkeljen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare nga fuqitë e mëdha.

“Rendi botëror ka rënë. Pas veprimeve në Venezuelë, është plotësisht e qartë se rendi publik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së nuk zbatohen më. Sot sundon ligji i forcës dhe ligji i më të fortit”, u shpreh Vuçiç.

Në këtë kontekst, presidenti serb lidhi zhvillimet globale me situatën në Kosovë, duke pretenduar se Rezoluta 1244 është pezulluar “de facto, por jo de jure”.

“Sot nuk ka më parime. Prandaj jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244. Fuqi të mëdha, përfshirë Turqinë, po e armatosin me shpejtësi Prishtinën”, tha Vuçiç.

Ai gjithashtu e cilësoi si kërcënim për sigurinë e Serbisë bashkëpunimin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e quajtur atë një aleancë ushtarake të re.

“Një kërcënim i veçantë për Serbinë është bashkimi i sapokrijuar mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cili përfshin zhvillimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake, nga automjetet ushtarake deri te armët e rënda”, theksoi ai.

Në fund, Vuçiç paralajmëroi se Serbia po e ndjek nga afër situatën dhe po përgatitet për çdo skenar.

“Republika e Serbisë po e monitoron këtë me shumë kujdes dhe po përgatitet për t’u mbrojtur ndaj atyre që, jo më fshehurazi, por hapur, kërcënojnë vendin tonë. Besojmë se forca jonë do të jetë një pengesë e mjaftueshme”, përfundoi Vuçiç.

— Dragash Info

Original Facebook objava