Vritet në Ukrainë Aleksandar Kubanac, i dyshuar për sulmin në Banjskë Aleksandar Kubanac, shtetas serb i dyshuar për…
Vritet në Ukrainë Aleksandar Kubanac, i dyshuar për sulmin në Banjskë
Aleksandar Kubanac, shtetas serb i dyshuar për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, është vrarë në Ukrainë, raportohet nga burime të ndryshme ndërkombëtare.
Sipas këtyre burimeve, Kubanac ka humbur jetën gjatë luftimeve në rajonin e Donbasit, ku thuhet se ishte pjesë e forcave ruse. Ai dyshohet se kishte vepruar si mercenar në luftën e zhvilluar kundër Ukrainës.
Autoritetet e Kosovës e kishin shpallur Kubanacin në kërkim ndërkombëtar përmes Interpolit, lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, ku humbi jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe u plagosën disa të tjerë. Pas sulmit, ai kishte arritur të largohej nga territori i Kosovës.
Roli i tij në ngjarjet e Banjskës ishte pjesë e hetimeve të autoriteteve kosovare, ndërsa vdekja e tij në Ukrainë vjen para përfundimit të procesit gjyqësor lidhur me këtë rast.
Institucionet e Kosovës deri më tani nuk kanë dalë me një reagim zyrtar lidhur me raportimet për vdekjen e tij.