Botë

Vota e vjedhur – demokracia e dhunuar: PBKDSH kërkon rinumërim të plotë dhe hetim penal Keqpërdorimi dhe vjedhja e vo…

18.01.2026. 3 min čitanja

Vota e vjedhur – demokracia e dhunuar: PBKDSH kërkon rinumërim të plotë dhe hetim penal

Keqpërdorimi dhe vjedhja e votës së qytetarëve përbën një nga goditjet më të rënda ndaj demokracisë dhe rendit kushtetues në vend, ka deklaruar Selver Islamaj, Nënkryetar i PBKDSH dhe Kryetar i Degës së Prizrenit.

Sipas tij, rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka nxjerrë në pah mospërputhje serioze, të cilat nuk mund të justifikohen më si “gabime njerëzore” apo “lëshime teknike”.

Përmasat dhe përsëritja e këtyre parregullsive, sipas Islamajt, ngrenë dyshime të forta për manipulim të qëllimshëm të votës dhe vënë në pikëpyetje integritetin e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit.

“Kur preket vota, nuk cenohet vetëm një procedurë teknike, por devijohet drejtpërdrejt vullneti i lirë i qytetarëve dhe shkatërrohet besimi në institucione, në rendin kushtetues dhe në vetë shtetin”, thekson Islamaj.

Ai ngre pyetjen nëse bëhet fjalë për raste të izoluara apo për një skemë të orkestruar vjedhjeje, ku disa parti dhe kandidatë kanë humbur apo fituar vota në mënyrë të padrejtë.

Në këtë kontekst, PBKDSH kërkon që rinumërimi të mos mbetet i pjesshëm, por të bëhet rinumërim i plotë i çdo vote, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri demokratike dhe jo opsion politik. Sipas Islamajt, pa transparencë të plotë nuk mund të ketë legjitimitet institucional dhe përfaqësim real të qytetarëve.

Ai rikujton se raste të parregullsive zgjedhore janë raportuar edhe më herët nga media dhe organizata vëzhguese, çka tregon se manipulimi i votës është një problem i përsëritur që vazhdon për shkak të mungesës së ndëshkimit.

Po ashtu, Islamaj ka kritikuar heshtjen e Prokurorisë, duke e cilësuar mosveprimin përballë dyshimeve serioze për manipulim zgjedhor si alarmant dhe të dëmshëm për besimin publik.

“Demokracia nuk mbrohet me deklarata, por me veprime konkrete, hetime të paanshme dhe përgjegjësi penale”, ka shtuar ai.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse – KQZ, Prokuroria dhe gjykatat – kanë detyrim kushtetues të mbrojnë votën e qytetarëve, ndërsa edhe roli i faktorit ndërkombëtar mbetet thelbësor për garantimin e standardeve demokratike.

Në fund të deklaratës, Islamaj thekson se çdo përpjekje për ta minimizuar apo mbyllur këtë çështje pa zbardhje të plotë do të kishte pasoja afatgjata dhe të pariparueshme për demokracinë dhe stabilitetin e vendit.

“Vota është e shenjtë. Demokracia nuk negociohet.”

— Dragash Info

Original Facebook objava