VJEDHJA E VOTAVE NË PRIZREN – Arrestohet edhe Kryetari i KKZ-së, Nysret Bytyçi Policia e Kosovës ka zhvilluar të enjt…
VJEDHJA E VOTAVE NË PRIZREN – Arrestohet edhe Kryetari i KKZ-së, Nysret Bytyçi
Policia e Kosovës ka zhvilluar të enjten aksionin e dytë radhazi në kuadër të hetimeve për vjedhjen dhe manipulimin e votave në qytetin e Prizrenit. Në këtë aksion është arrestuar edhe koordinatori kryesor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për regjionin e Prizrenit, Nysret Bytyçi.
Burime brenda organeve të rendit bëjnë të ditur se Bytyçi ka kontratë të përhershme në KQZ dhe arrestimi i tij lidhet drejtpërdrejt me dyshimet për përfshirje në skemën e manipulimit të votave.
Sipas informatave, përveç Bytyçit, rreth 30 persona të tjerë janë duke u intervistuar nga Policia e Kosovës në lidhje me këtë rast.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdojnë hetimet për manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë, duke përfshirë tashmë edhe grupin e dytë të të dyshuarve në këtë rajon.
Hetimet, sipas Prokurorisë, kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII – Shkelja e të drejtave të votimit, si dhe Kapitullin XXXIII – Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se javën e kaluar në Prizren janë ndaluar gjithsej 109 persona të dyshuar për përfshirje në manipulimin e votave, prej të cilëve 23 janë dërguar në paraburgim.
Ndërkohë, në komunën e Malishevës, të mërkurën janë ndaluar 15 persona, ndërsa janë intervistuar edhe 43 të tjerë.
Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet kanë paralajmëruar se nuk përjashtohen arrestime të tjera.
— Dragash Info