Veteranët e UÇK-së reagojnë ashpër ndaj Kurtit për kompromiset me Serbinë
Veteranët e UÇK-së reagojnë ashpër ndaj Kurtit për kompromiset me Serbinë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, përmes një reagimi publik ka akuzuar kryeministrin Kurti për, siç tha ai, “hipokrizi politike”, duke theksuar se për vite me radhë ka ndërtuar karrierën e tij mbi retorikë patriotike, ndërsa sipas tij në prapaskenë po bëhen kompromise që krijojnë hapësira të reja për strukturat ilegale të Serbisë brenda Kosovës. Në reagim thuhet se është skandal politik dhe moral që, sipas OVL-së së UÇK-së, para qytetarëve deklarohet se strukturat paralele të Serbisë janë shuar, ndërsa në realitet po krijohen mekanizma që u japin rol në zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës. Veteranët e UÇK-së vlerësojnë se kjo nuk përbën politikë shtetformuese, por, sipas tyre, është mashtrim ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Ata shtojnë se retorika për sovranitet dhe mbrojtje të shtetit është përdorur vetëm për konsum politik. Në reagim theksohet gjithashtu se Qeveria Kurti, sipas OVL-UÇK-së, e ka izoluar Kosovën nga aleatët kryesorë dhe tani po përfundon duke bërë kompromise për të cilat më parë kishte akuzuar të tjerët për tradhti kombëtare. OVL-UÇK paralajmëron se veteranët nuk do të heshtin ndaj politikave që, sipas tyre, relativizojnë sakrificën e luftës çlirimtare dhe hapin derën për ndikimin e Serbisë brenda institucioneve të Kosovës. “Kosova është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së dhe jo mbi pazare politike në prapaskenë. Çdo përpjekje për ta cenuar këtë sakrificë do të përballet me reagimin e veteranëve të UÇK-së”, thuhet në reagimin e publikuar nga kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati. — Dragash Info