Vdes një fëmijë rreth 1-vjeçar pas një zjarri në Prizren, tre të tjerë shpëtohen Një fëmijë rreth moshës një vjeç ka…
Vdes një fëmijë rreth 1-vjeçar pas një zjarri në Prizren, tre të tjerë shpëtohen
Një fëmijë rreth moshës një vjeç ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që shpërtheu sot në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se ngjarja është raportuar rreth orës 10:00 të datës 30.12.2025. Sipas tij, dyshohet se fëmija ka humbur jetën si pasojë e thithjes së tymit.
“Sot, rreth orës 10:00, kemi pranuar informacion për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Si pasojë e këtij zjarri, një fëmijë rreth moshës një vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë thithja e tymit”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka bërë të ditur se tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar nga objekti dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Njësitë emergjente dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë, duke arritur të lokalizojnë pothuajse plotësisht zjarrin, ndërsa ekipet relevante vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e ngjarjes.
Sipas Policisë, shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar dhe pritet të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore nga organet kompetente.