Universiteti i Prizrenit organizon akademi përkujtimore në nderim të ish-rektorit Prof.
Universiteti i Prizrenit organizon akademi përkujtimore në nderim të ish-rektorit Prof. Dr. Zahadin Shemsedini
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren u mbajt sot një akademi përkujtimore në nderim të ish-rektorit të këtij institucioni dhe ish-drejtorit të Arsimit në Prizren, Prof. Dr. Zahadin Shemsedini, i cili ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare.
Në këtë akademi morën pjesë drejtues të universitetit, profesorë, familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit, të cilët vlerësuan lart kontributin e tij shumëvjeçar në arsimin e lartë dhe zhvillimin institucional të Universitetit të Prizrenit.
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, tha se Prof. Dr. Zahadin Shemsedini ishte një profesionist i dalluar dhe një personalitet me vlera të larta njerëzore, i përkushtuar ndaj dijes, edukimit dhe formimit të brezave të rinj.
Fjalë rasti mbajti edhe ish-profesori i këtij universiteti dhe ish-ministri i Arsimit, Rexhep Osmani, i cili theksoi se Prof. Shemsedini ishte një figurë e shquar e arsimit dhe shoqërisë, me ndikim të madh në zhvillimin e mendimit akademik dhe arsimor.
Ndërkaq, shoku i ngushtë i të ndjerit, Kadri Skeja, e përshkroi atë si një njeri të urtë, të respektuar dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët, ndërsa në emër të komunitetit universitar, Xhafer Beqiraj vlerësoi kontributin e tij të çmuar në ndërtimin dhe konsolidimin e institucionit universitar në Prizren.
Në përmbyllje të akademisë përkujtimore, Universiteti “Ukshin Hoti” i ndau një mirënjohje post mortum Prof. Dr. Zahadin Shemsedinit, e cila iu dorëzua djalit të tij, Afrimit, si shenjë falënderimi dhe respekti për veprën dhe trashëgiminë e tij arsimore.
— Dragash Info