Uniformat shkollore arrijnë në ShML “Ruzhdi Berisha”, nxënësit obligohen t’i bartin nga e hëna Komuniteti shkollor i…
Uniformat shkollore arrijnë në ShML “Ruzhdi Berisha”, nxënësit obligohen t’i bartin nga e hëna
Komuniteti shkollor i Shkollës së Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” ka pranuar uniformat e reja shkollore, të cilat tashmë janë shpërndarë dhe janë veshur nga nxënësit, duke i dhënë institucionit një pamje më të rregullt, dinjitoze dhe përfaqësuese.
Sipas njoftimit të drejtorisë së shkollës, ky hap synon të forcojë frymën e barazisë, disiplinës dhe identitetit të përbashkët shkollor.
Uniformat janë përgatitur dhe sjellë me kohë nga kompania Invers One, e cila ka bërë të mundur furnizimin e nxënësve me pajisjet e nevojshme.
Drejtoria e shkollës ka shprehur mirënjohje për prindërit që mbështetën financiarisht këtë proces, duke dëshmuar bashkëpunim dhe përgjegjësi të vazhdueshme ndaj institucionit arsimor. Po ashtu, është vlerësuar edhe përkrahja e nxënësve, të cilët e kanë pranuar menjëherë këtë iniciativë, duke treguar pjekuri dhe respekt ndaj rregullave të shkollës.
Falënderime të veçanta janë adresuar edhe për mësimdhënësit, të cilët kanë mbështetur procesin si në aspektin moral, ashtu edhe me kontribut modest financiar. Njëkohësisht, drejtoria ka falënderuar edhe një bashkëatdhetar nga fshati Zgatar për kontributin financiar në mbështetje të gjeneratave të reja.
Nga dita e hënë, nxënësit e klasave të 10-ta dhe 11-ta, të cilët tashmë janë pajisur me uniforma, obligohen të vijojnë procesin mësimor duke i bartur ato.
Ky bashkëpunim ndërmjet shkollës, prindërve, mësimdhënësve dhe komunitetit konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një ambienti edukativ më të mirë dhe më të disiplinuar për nxënësit.
— Dragash Info



