Trump paralajmëron Kolumbinë: Gustavo Petro mund të përballet me operacion të ngjashëm si Maduro në Venezuelë Preside…
Trump paralajmëron Kolumbinë: Gustavo Petro mund të përballet me operacion të ngjashëm si Maduro në Venezuelë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake ndaj Kolumbisë, duke akuzuar presidentin Gustavo Petro për lidhje me trafikun e kokainës.
Gjatë një deklarate për gazetarët në avionin presidencial Air Force One, të dielën, Trump e quajti Petron “një njeri të sëmurë” dhe e akuzoi atë për prodhimin dhe shitjen e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara.
“Kolumbia është gjithashtu shumë e sëmurë, e drejtuar nga një njeri i sëmurë, të cilit i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë në Shtetet e Bashkuara. Por kjo nuk do të vazhdojë edhe për shumë gjatë,” tha Trump, sipas raportimeve të A2 CNN.
I pyetur nëse SHBA mund të ndërmerrte një operacion ushtarak të ngjashëm me atë në Venezuelë, Trump u përgjigj shkurt: “Më duket ide e mirë”.
Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, ka kritikuar më parë ndërhyrjen amerikane në Venezuelë, duke e cilësuar atë si një shkelje të sovranitetit të Amerikës Latine dhe një precedent të rrezikshëm për rajonin.
Ndërkohë, ish-presidenti venezuelian, Nicolás Maduro, pritet të dalë të hënën para Gjykatës Federale në Manhattan, ku do të njihet zyrtarisht me akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Deklaratat e Trump po rrisin shqetësimet ndërkombëtare për një përshkallëzim të mundshëm të ndërhyrjeve amerikane në Amerikën Latine, duke pasur parasysh operacionin në Venezuelë që ka shkaktuar reagime të forta globale.
— Dragash Info