Trendafilova e liron me kusht Haxhi Shalën: Shkroi letër dhe shprehu keqardhje Kryetarja e Dhomave të Specializuara t…
Trendafilova e liron me kusht Haxhi Shalën: Shkroi letër dhe shprehu keqardhje
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, ka vendosur më 2 shkurt 2026 që të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës, duke i mundësuar lirimin e tij me kusht, në përputhje me kushtet e përcaktuara në vendimin përkatës.
Sipas njoftimit zyrtar, kushtet e lirimit do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur të dënimit prej tre vitesh. Shala është liruar dhe është kthyer në Kosovë sot.
Në njoftimin e publikuar nga Gjykata Speciale thuhet se Trendafilova ka marrë parasysh faktin se Shala ka shfaqur shenja rehabilitimi, si dhe ka dërguar një letër personale drejtuar kryetares së DHSK-së, në të cilën ka shprehur keqardhje për të gjithë ata që mund të kenë pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij.
Po ashtu, janë vlerësuar marrëdhëniet e tij pozitive familjare, mjedisi i qëndrueshëm i jetesës dhe rrjeti i gjerë shoqëror, të cilat, sipas gjykatës, tregojnë një perspektivë të arsyeshme për rehabilitim.
“Kryetarja ka vlerësuar se, ndonëse veprat penale për të cilat z. Shala u shpall fajtor janë të rënda, letra e tij është shkruar me nismën e vet, pa ndihmë ligjore dhe pas një periudhe reflektimi. U konstatua se kjo letër përbën shenjë të distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor”, thuhet në njoftim.
Nga DHSK-ja është theksuar se procedurat për uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimeve, të përcaktuara në nenin 51(2) të Ligjit, janë procedura individuale. Edhe pse një person i shpallur fajtor mund të ketë vuajtur dy të tretat e dënimit, kjo nuk nënkupton të drejtë automatike për ulje ose ndryshim të dënimit, por vetëm për shqyrtim të mundësisë nga gjykata.
— Dragash Info