Botë

Totaj: Ka dëme nga vërshimet në Prizren, Qeveria Qendrore ka qëndruar anash Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir T…

09.01.2026. 3 min čitanja

Totaj: Ka dëme nga vërshimet në Prizren, Qeveria Qendrore ka qëndruar anash

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe daljes nga shtrati të lumit Drini i Bardhë, gjashtë familje janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas Totajt, lumi Drini i Bardhë ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, duke shkaktuar dëme materiale, megjithatë fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz.

“Në disa zona më të ulëta, lumi Drini i Bardhë ka dalë nga shtrati dhe ka hyrë nëpër shtëpi. Pesë deri në gjashtë familje janë evakuuar dhe janë strehuar tek familjarët e tyre. Janë shkaktuar dëme materiale në shtëpi dhe biznese, por sot niveli i ujit ka rënë rreth një metër e gjysmë dhe situata gradualisht po stabilizohet,” ka deklaruar Totaj.

Ai bëri të ditur se përveç vërshimeve, komuna po përballet edhe me vështirësi në mirëmbajtjen e rrugëve për shkak të borës, ndërsa dëmet nga përmbytjet, sipas tij, janë në kufijtë e asaj që mund të menaxhohet në nivel lokal.

Totaj kritikoi Qeverinë Qendrore për mungesë angazhimi, duke thënë se institucionet qendrore nuk janë kyçur në menaxhimin e situatës.

“Mund të them se Qeveria Qendrore ka qëndruar anash. Ata kanë më shumë resurse, kapacitete dhe buxhet, dhe po të ishin përfshirë, do të mund të ndihmonin më shumë qytetarët që kanë nevojë,” theksoi ai.

Sipas kryetarit, zonat më të prekura nga vërshimet janë zona e Hasit dhe disa pjesë periferike të qytetit të Prizrenit, ndërsa brenda qytetit dëmet kanë qenë më të vogla.

Ai shtoi se ekipet emergjente kanë qenë aktive gjatë gjithë natës, veçanërisht në fshatin Lubinjë, ku për shkak të rrëshqitjes së dheut është intervenuar për të zhbllokuar rrugën.

Komuna e Prizrenit, sipas Totajt, vazhdon të mbajë ekipet emergjente në gjendje gatishmërie, ndërsa vlerësimi i plotë i dëmeve do të bëhet pasi të qetësohet gjendja në terren.

“Komuna nuk ka mundësi financiare për kompensimin e dëmeve. Pas vlerësimit, qytetarëve do t’u rekomandohet që t’i drejtohen Qeverisë Qendrore, e cila ka kapacitete dhe mjete për kompensim,” përfundoi Totaj.

— Dragash Info

Original Facebook objava