Botë

Thirrje publike ndaj mërgatës: “Mos u ktheni tash – përballuni me realitetin që e krijuat” Një reagim i fortë dhe emo…

02.01.2026. 3 min čitanja

Thirrje publike ndaj mërgatës: “Mos u ktheni tash – përballuni me realitetin që e krijuat”

Një reagim i fortë dhe emocional ndaj rolit të mërgatës në zhvillimet politike dhe sociale në Kosovë ka ngjallur debat në opinionin publik.

Autorja Hanife Osmani, përmes një shkrimi të drejtpërdrejtë, u drejtohet mërgimtarëve me një mesazh kritik, duke i ftuar që të përballen me pasojat e zgjedhjeve të tyre.

“Mos u kthe tash, rri dhe shijo frutet e farës që e mbolle. Rri dhe përballu me gjendjen faktike, të cilës po i jep legjitimitet dhe po e jetëson”, shkruan Osmani, duke theksuar se barra e realitetit të sotëm po bie mbi qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Në shkrim përshkruhen pamje të përditshmërisë së rëndë sociale: pensionistë që nuk arrijnë të blejnë ilaçe, punëtorë ndërtimi që rrezikojnë jetën për mbijetesë, policë që dorëzojnë uniformën, mësues dhe prindër që përballen me pamundësi financiare për shkollimin e fëmijëve, si dhe mjekë që po aplikojnë për punë jashtë vendit.

Autorja ngre shqetësimin edhe për ndryshimet demografike dhe tregun e punës, duke përmendur punëtorë të huaj nga Azia, ndërsa Kosova, sipas saj, po zbrazet.

“Rri dhe shikoje Kosovën duke u zbrazur si pasojë e zgjedhjes sate në kutitë e votimit”, thuhet në reagim, ku vihet në pah se sot, 26 vjet pas luftës dhe 18 pas pavarësisë, emigrimi po ndodh për arsye të tjera – jo nga lufta, por nga pamundësia për të jetuar me dinjitet.

Megjithatë, shkrimi nuk mohon lidhjen emocionale me mërgatën. Përkundrazi, Osmani thekson se ata janë gjithmonë të mirëpritur dhe pjesë e pandashme e shoqërisë kosovare, por kërkon që përgjegjësia për zgjedhjet politike të mos mbetet vetëm mbi ata që jetojnë në vend.

“Mos na e lini këtë çmim ta paguajmë vetëm ne”, përfundon ajo, duke e mbyllur reagimin me një ironi të fortë politike për katër vitet e ardhshme.

Original Facebook objava