Botë

Taksë 1–2 euro për hyrje në Prishtinë, Rama: Mjetet do të përdoren për unazën e brendshme Prishtinë – Kryetari i Komu…

03.01.2026. 2 min čitanja

Taksë 1–2 euro për hyrje në Prishtinë, Rama: Mjetet do të përdoren për unazën e brendshme
Prishtinë – Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar mundësinë e vendosjes së një pagese për automjetet që hyjnë në kryeqytet, si pjesë e masave për menaxhimin e trafikut dhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore.

Në një intervistë për RTV21, Rama ka bërë të ditur se Komuna po shqyrton aplikimin e një takse prej 1 deri në 2 euro për automjetet që vijnë nga qytetet e tjera dhe hyjnë në Prishtinë gjatë ditës.

Sipas tij, aktualisht rreth 140 mijë vetura hyjnë çdo ditë në kryeqytet, ndërsa të hyrat nga kjo pagesë do të destinohen ekskluzivisht për ndërtimin e unazës së brendshme të Prishtinës.

“Kur e kemi parasysh që 140 mijë makina hyjnë në kryeqytet, nëse ua marrim nga një euro në ditë bëjnë 140 mijë euro, nëse nga dy euro i kemi 280 mijë euro në ditë. Nëse e shumëzon këtë me 365 ditë, e sheh se sa shpejt mundemi me e financua unazën e brendshme”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka theksuar se kjo masë synon jo vetëm sigurimin e mjeteve financiare për projekte kapitale, por edhe reduktimin e ngarkesës së trafikut, përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e cilësisë së jetës në kryeqytet.

Sipas Ramës, viti 2026 pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme infrastrukturore në Prishtinë, ndërsa vendimi përfundimtar për këtë pagesë do të merret pas analizave dhe konsultimeve përkatëse.

Original Facebook objava