Tahiri: 453 të emëruar politikisht, Qeveria Kurti me kabinetin më të madh në rajon
Tahiri: 453 të emëruar politikisht, Qeveria Kurti me kabinetin më të madh në rajon Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka paraqitur një analizë të strukturës së kabinetit qeveritar, duke deklaruar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka numrin më të madh të emërimeve politike në rajon. Sipas Tahirit, bazuar në Rregulloren 04/2026, numri i përgjithshëm i personave të emëruar politikisht arrin në 453, duke përfshirë këshilltarë, staf politik dhe zëvendësministra. Ai theksoi se struktura aktuale përfshin 19 ministri, rreth 38 zëvendësministra dhe dhjetëra këshilltarë nëpër kabinete, duke e cilësuar këtë si një “kabinet tepër të madh” dhe jo funksional. “Po flasim për një qeveri me ministri pa portofol real dhe me qëllim të vetëm rritjen e numrit të të emëruarve politikë”, deklaroi Tahiri, duke shtuar se në disa raste numri i stafit në kabinete arrin deri në 50 persona. Sipas tij, kjo situatë krijon një barrë të madhe administrative dhe financiare, në një kohë kur qytetarët përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesë perspektive. Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ngriti shqetësimin për përfaqësimin gjinor në kabinetin qeveritar. Ajo tha se aktualisht vetëm katër gra janë ministre, duke përbërë më pak se 20% të kabinetit. Bytyqi kërkoi nga Qeveria që të respektojë kuotën gjinore dhe ligjin për barazi gjinore, duke bërë thirrje për reflektim dhe përfshirje më të madhe të grave në vendimmarrje. — Dragash Info