Studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” ngritën flamurin e UÇK-së në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë Prizren, 16…
Studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” ngritën flamurin e UÇK-së në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë
Prizren, 16 shkurt 2026
Në ambientet e Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, pranë shtatores së Ukshin Hoti, studentët kanë ngritur flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Sipas një njoftimi të Parlamentit Studentor, ky veprim është realizuar si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për sakrificën dhe kontributin e atyre që luftuan për lirinë e vendit.
Në reagimin e tyre thuhet se ngritja e flamurit simbolizon qëndresën, unitetin dhe vendosmërinë për të mos harruar rrugën drejt shtetësisë, duke e lidhur këtë akt me figurën e Ukshin Hotit si simbol i mendimit të lirë dhe rezistencës intelektuale. Studentët theksuan se brezi i ri mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së vlerave historike dhe përgjegjësisë qytetare.
Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur se nesër studentët do të udhëtojnë në mënyrë të organizuar drejt Prishtinës për t’iu bashkuar protestës me moton “Drejtësi, jo politikë”, duke theksuar se angazhimi i tyre vazhdon përtej simbolikës.
“Sot ngritëm flamurin për të kujtuar të kaluarën. Nesër marshojmë për të mbrojtur të ardhmen”, thuhet në përfundim të deklaratës së Parlamentit Studentor.
— Dragash Info





