Botë

Standardet britanike të dorëheqjes politike dhe realiteti kosovar: Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së pavarësisht kun…

01.02.2026. 3 min čitanja

Standardet britanike të dorëheqjes politike dhe realiteti kosovar: Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së pavarësisht kundërshtimit të 45% të delegatëve

Në demokracitë perëndimore, veçanërisht në Britaninë e Madhe, dorëheqja e liderëve partiakë pas humbjes së mbështetjes së brendshme konsiderohet standard i pashkruar i përgjegjësisë politike. Ky standard, megjithatë, duket se nuk gjen zbatim në realitetin politik të Kosovës.

Sipas një analize të publikuar nga Gazeta Metro, historia politike britanike njeh raste kur edhe kryeministra janë detyruar të largohen nga posti për shkak të mungesës së mbështetjes nga partia e tyre. Rasti më emblematic është ai i Margaret Thatcher, e cila në vitin 1990, ndonëse fitoi 54.8% të votave në garën e brendshme të Partisë Konservatore, u detyrua të japë dorëheqje pasi 45.2% e deputetëve të partisë i dolën kundër. Për vetëm katër vota, ajo nuk arriti pragun e nevojshëm për t’u konfirmuar dhe u largua nga posti pas 11 vjetësh e gjysmë në krye të qeverisë britanike dhe tri fitoreve zgjedhore radhazi.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në qershor të vitit 2022 me ish-kryeministrin britanik Boris Johnson, kur 41% e deputetëve konservatorë votuan kundër tij në një votëbesim të brendshëm. Ky rezultat u konsiderua i pamjaftueshëm për të vazhduar udhëheqjen dhe hapi rrugën për dorëheqjen e tij disa javë më vonë.

Në kontrast të plotë me këto standarde, në Kosovën e vitit 2026, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari Lumir Abdixhiku ka mbetur në krye të partisë pavarësisht kundërshtimit të një përqindjeje të konsiderueshme të delegatëve. Në Kuvendin e LDK-së, Abdixhiku u konfirmua me rreth 55% të votave, ndërsa 45% e delegatëve votuan për dorëheqjen e tij.

Kjo ndodh në një kohë kur LDK-ja ka pësuar rënie të ndjeshme elektorale, duke marrë vetëm rreth 13% të votave në zgjedhjet e fundit. Megjithatë, ndryshe nga praktikat në demokracitë perëndimore, ky rezultat nuk u konsiderua i mjaftueshëm për ndryshim lidershipi.

Analiza e Gazeta Metro vë në pah paradoksin politik kosovar, ku, siç thuhet, “më lehtë rrëzohet një kryeministër britanik i një superfuqie bërthamore sesa kryetari i një partie politike në Kosovë”, edhe kur një pjesë e madhe e strukturës së brendshme shpreh hapur mungesë besimi.

— Dragash Info

Original Facebook objava