REUTERS: Brenda 3 muajsh pritet vendimi i Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së Agjencia ndërkombëtare e lajmeve…
REUTERS: Brenda 3 muajsh pritet vendimi i Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka raportuar për përmbylljen e fjalëve përfundimtare të mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se një vendim pritet brenda tre muajve të ardhshëm.
Sipas raportimit, avokatët e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat për krime lufte. Ata kundërshtuan pretendimet e Prokurorisë se Thaçi dhe tre ish-komandantë të tjerë të UÇK-së kanë organizuar një fushatë të dhunshme për të marrë kontroll politik në Kosovë gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998–1999.
Thaçi dhe të bashkëakuzuarit përballen me akuza për persekutim, vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë. Mbrojtja theksoi se nuk ka prova të drejtpërdrejta që e lidhin Thaçin me kryerjen e ndonjë krimi dhe as dëshmi që ai ka dhënë urdhra apo ka pasur kontroll efektiv mbi autorët e pretenduar.
Avokati Luka Misetic deklaroi para trupit gjykues se akuzat përbëjnë një përpjekje të pabazuar për të “rishkruar historinë” dhe kërkoi shpalljen e pafajësisë për të gjitha pikat e aktakuzës.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka kërkuar dënim me 45 vjet burg për secilin nga të akuzuarit, duke pretenduar se mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar gjatë periudhës 1998–1999 në rreth 50 qendra paraburgimi të drejtuara nga UÇK-ja.
Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan në vitin 2015 dhe funksionojnë me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë, për shkak të shqetësimeve lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve. Procesi gjyqësor ka zgjatur gati tre vjet dhe vendimi përfundimtar pritet të merret brenda tre muajve.
— Dragash Info