Kosova bëhet pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Socca Sot në Prizren është nënshkruar marrëveshja mes Socca Albania d…
Kosova bëhet pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Socca
Sot në Prizren është nënshkruar marrëveshja mes Socca Albania dhe Socca Kosova, duke e bërë vendin tonë pjesë të Federatës Ndërkombëtare të Socca. Ky sport, i njohur ndryshe si futboll i vogël ose “kalqeto”, po fiton popullaritet gjithnjë e më të madh në mbarë botën.
Ky hap strategjik hap rrugën për formimin e ekipit kombëtar të Kosovës në Socca, i cili pritet të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Socca që mbahet këtë vit në Shqipëri.
Lojtarët kosovarë do të kenë mundësinë të përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare dhe të tregojnë talentin dhe pasionin për këtë sport të shpejtë dhe atraktiv.
Së shpejti, do të nisë edhe liga shtetërore e Socca-s, ku do të garojnë skuadra nga e gjithë Kosova. Fituesi i ligës do të ketë privilegjin të përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare, që funksionojnë si një Champions League për këtë sport.
Në këtë ligë nuk do të përfshihen lojtarët profesionistë të futbollit, duke i dhënë kështu hapësirë talenteve të reja të shfaqin aftësitë e tyre dhe të zhvillojnë eksperiencën konkurruese.
Po ashtu, është planifikuar një ndeshje miqësore Kosovë – Shqipëri, që pritet të sjellë emocione të veçanta për tifozët dhe të forcojë lidhjet sportive mes dy vendeve.
Ky zhvillim shënon një moment historik për Socca-n në Kosovë dhe hap mundësi të reja për promovimin e futbollit të vogël në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
— Dragash Info




