Botë

Moska hap kanale komunikimi me SHBA-në për Ballkanin?

25.01.2026. 3 min čitanja

Moska hap kanale komunikimi me SHBA-në për Ballkanin? DASH nuk përgjigjet nëse po flitet për Kosovën

Rusia ka konfirmuar se ka hapur kanale komunikimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duke ngritur shqetësime edhe për Kosovën, për të cilën Moska historikisht ka kundërshtuar shtetësinë dhe proceset ndërkombëtare të konsolidimit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi këtë javë se Moska ka më shumë hapësirë komunikimi me SHBA-në sesa me Bashkimin Evropian për çështjet e Ballkanit, duke përmendur posaçërisht Bosnje e Hercegovinën dhe vendet e tjera të rajonit.

“Kontaktet po vazhdojnë. Ende nuk kanë sjellë rezultate konkrete, por ne jemi të hapur për to dhe, me sa duket, edhe pala amerikane është e gatshme”, tha Lavrov.

Radio Evropa e Lirë i ka drejtuar pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) nëse këto bisedime përfshijnë Kosovën, Bosnjën apo vendet e tjera të Ballkanit, si dhe nëse ka koordinim me Bashkimin Evropian, por që nga 20 janari nuk ka marrë përgjigje.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka theksuar se nuk mund të konfirmojë shkëmbime të tilla mes palëve të treta, duke nënvizuar se BE-ja mbetet partneri kryesor politik, ekonomik dhe strategjik i Ballkanit Perëndimor.

Qeveria në detyrë e Kosovës nuk ka komentuar drejtpërdrejt deklaratat e Lavrovit, por kryeministri Albin Kurti, gjatë një paraqitjeje në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ka paralajmëruar për rrezikun që i kanoset Kosovës nga ndikimi rus përmes Serbisë.

“Kërcënimi ynë më i afërt është Federata Ruse, e cila ndihmon përpjekjet për destabilizim përmes fqinjit tonë verior”, ka deklaruar Kurti.

Në Ballkanin Perëndimor, Rusia ushtron ndikim kryesisht përmes lidhjeve me Serbinë dhe Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa në vendet e tjera ndikimi i saj konsiderohet më i kufizuar dhe indirekt.

Sipas raporteve ndërkombëtare, Moska përdor dezinformimin, ndikimin energjetik dhe mediatik për të ngadalësuar integrimin euroatlantik të rajonit.

Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (2024) thekson se një nga objektivat kryesore të Rusisë është parandalimi i rreshtimit të Serbisë me Perëndimin, duke mbështetur qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës dhe duke penguar normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi.

Analistët ndërkombëtarë janë të ndarë në vlerësime. Charles Kupchan vlerëson se dialogu SHBA–Rusi për Ukrainën është i nevojshëm, por paralajmëron se bashkëpunimi me Moskën në Ballkan duhet shmangur, pasi interesat ruse janë në kundërshtim me ato amerikane.

Ndërkohë, Ivana Stradner vlerëson se Kosova nuk është fokusi kryesor i Rusisë, por thekson se ndikimi rus në Serbi dhe Bosnje mbetet i fortë dhe përbën rrezik të vazhdueshëm për stabilitetin rajonal.

Sipas saj, Kosova duhet të forcojë lidhjet me Bashkimin Evropian dhe të veprojë me kujdes diplomatik në raport me SHBA-në, ndërsa BE-ja duhet të tregojë më shumë lidership në Ballkanin Perëndimor.

— Dragash Info

Original Facebook objava