Ndalohet përkohësisht qarkullimi në një segment të rrugës Ferizaj–Prishtinë për shkak të vërshimeve
Për shkak të sasisë së madhe të ujit të grumbulluar në rrugë, është ndaluar përkohësisht qarkullimi i automjeteve në rrugën nacionale Ferizaj – Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Sipas njoftimit, segmentet e prekura janë:
nga rrethi i Prishtina Mall në drejtim të Prishtinës dhe nga rrethi i Marigona në drejtim të Ferizajt.
Vendimi për ndalimin e qarkullimit është marrë në koordinim me zyrtarë të Ministria e Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës.
Policia njofton se qarkullimi i automjeteve do të devijohet dhe orientohet përmes autostradës, deri në përmirësimin e gjendjes në këtë segment rrugor.
“Ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen e qytetarëve dhe garantimin e sigurisë në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
— Dragash Info




