Spiropali: Gjykata në Hagë të mos lejojë që Prokuroria të cenojë padrejtësisht luftën çlirimtare Ministrja për Evropë…
Spiropali: Gjykata në Hagë të mos lejojë që Prokuroria të cenojë padrejtësisht luftën çlirimtare
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka shprehur shqetësime serioze lidhur me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pas kërkesës së Prokurorisë për dënimin me nga 45 vjet burgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një reagimi për media, Spiropali ka theksuar se mbajtja në paraburgim për mbi pesë vjet e ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pa një vendim përfundimtar, ngre pyetje mbi proporcionalitetin, respektimin e të drejtave themelore dhe standardet e një procesi gjyqësor të rregullt.
“Po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet në Hagë. Kohëzgjatja e paraburgimit dhe natyra e akuzave ngritin pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen perceptimin e njëanshmërisë, sidomos krahasuar me pandëshkueshmërinë e krimeve të regjimit serb ndaj popullsisë civile në Kosovë”, ka shkruar Spiropali.
Ministrja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e ndarjes së përgjegjësisë individuale nga karakteri historik i luftës së UÇK-së, duke kujtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje me mbështetje ndërkombëtare, e ngritur kundër spastrimit etnik dhe dhunës sistematike të regjimit serb.
“Çdo proces gjyqësor që trajton individë të asaj lufte duhet të ruajë dallimin midis përgjegjësisë individuale dhe karakterit historik të luftës për liri. Gjykata ka përgjegjësinë të sigurojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të mos prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri”, ka theksuar Spiropali.
Në mbyllje, ministrja konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të ndjekur me vëmendje këtë proces dhe për të siguruar që drejtësia të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, jo për rishkrimin e historisë:
“Drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit. Republika e Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, përfundoi Spiropali.
— Dragash Info