Qendrore

Specialja ia heq kufizimet e vizitave tek Thaçi një personi, i lë në fuqi për 10 të tjerët

18.03.2026. 2 min čitanja

Specialja ia heq kufizimet e vizitave tek Thaçi një personi, i lë në fuqi për 10 të tjerët Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është vendosur që njërit prej 11 personave t’i hiqen kufizimet për vizita tek ish-Presidenti Hashim Thaçi, ndërsa për dhjetë të tjerët masat mbeten në fuqi. Vendimi është marrë nga gjyqtari i vetëm Christoph Gosnell më 16 janar 2026, por është bërë publik më 16 mars, raportoi Betimi për Drejtësi. Sipas vendimit, personi të cilit i janë hequr kufizimet kishte marrë pjesë në disa vizita të monitoruara me Thaçin, pa u evidentuar ndonjë shkelje apo përpjekje për të shpërndarë informacion konfidencial. Ndërsa, për vizitorët e tjerë, gjykata vlerësoi se kufizimet mbeten të nevojshme për të mbrojtur integritetin e procesit dhe sigurinë e dëshmitarëve. Mbrojtja e Thaçit kishte argumentuar se kufizimet nuk janë më të nevojshme dhe se faza e paraqitjes së provave ka përfunduar, duke ndryshuar rrethanat në këtë çështje. Sipas saj, nuk ka pasur asnjë incident gjatë vizitave që nga vendosja e kufizimeve në dhjetor 2023. Megjithatë, gjyqtari theksoi se për shumicën e vizitorëve ekziston ende rrezik potencial për zbulim të informacionit konfidencial apo ndikim në dëshmitarë, prandaj ndalimi i vizitave jo të privilegjuara për ta mbetet në fuqi. Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast, ndërsa mbrojtja pritet të dorëzojë mocionet për rrëzimin e akuzave deri më 23 mars 2026. Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim në Hagë që nga viti 2020 dhe po përballet me akuza për krime lufte dhe për pengim të drejtësisë, bashkë me Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët janë deklaruar të pafajshëm. — Dragash Info