Skandaloze: “Hijen në dorën e Gjergj Dedajt, Prokuroria e paraqiti si dhunë nga UÇK-ja” – Mishetiq publikon pamjet Në…
Skandaloze: “Hijen në dorën e Gjergj Dedajt, Prokuroria e paraqiti si dhunë nga UÇK-ja” – Mishetiq publikon pamjet
Në vazhdën e deklaratave përmbyllëse në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka hedhur akuza të rënda ndaj Prokurorisë së Specializuar, duke e cilësuar si skandaloze mënyrën e paraqitjes së një prove në gjykatë.
Sipas Mishetiqit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka pretenduar se Gjergj Dedaj kishte pësuar dhunë nga të akuzuarit gjatë një ngjarjeje në Qirez, duke u mbështetur në një pamje ku në dorën e tij shihej një shenjë që u interpretua si mavijosje.
Megjithatë, mbrojtja ka prezantuar në sallën e gjyqit pamje dhe sqarime shtesë, duke argumentuar se ajo që Prokuroria e ka paraqitur si shenjë dhune, në fakt ishte thjesht hije e pajisjeve në dhomën ku po zhvillohej takimi.
“Prokuroria ka ndërtuar pretendime mbi një interpretim të gabuar vizual, duke e paraqitur një hije si dëshmi për sulm fizik”, është shprehur Mishetiq gjatë paraqitjes së tij.
Ai theksoi se një qasje e tillë dëmton seriozisht besueshmërinë e procesit dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si janë analizuar dhe paraqitur provat në këtë rast.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndërsa deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes pritet të përmbyllin një fazë të rëndësishme të këtij gjykimi.
— Dragash Info


