Botë

Skandal i rëndë politik: Qeveria Kurti akuzohet se ka financuar pushtetin e Vuçiqit në Medvegjë Një akuzë e rëndë pol…

05.01.2026. 2 min čitanja

Skandal i rëndë politik: Qeveria Kurti akuzohet se ka financuar pushtetin e Vuçiqit në Medvegjë

Një akuzë e rëndë politike është ngritur ndaj Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me ndarjen e rreth 100 mijë eurove për Komunën e Medvegjës, e cila udhëhiqet nga struktura lokale të partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas ish-zyrtares së lartë të Qeverisë së Kosovës, Lindë Shaqiri, kjo ndihmë financiare nuk ka përfunduar te shqiptarët e Medvegjës, por është përdorur nga pushteti lokal serb për projekte komunale, pa asnjë ndikim real për komunitetin shqiptar që vazhdon të përballet me diskriminim sistematik.

“Ky nuk është ndihmë për shqiptarët, por forcim i strukturave që i shtypin dhe i diskriminojnë ata”, ka deklaruar Shaqiri, duke theksuar se asnjë shqiptar nuk ka përfituar drejtpërdrejt nga këto mjete.

Ajo thekson se Qeveria Kurti ka qenë plotësisht e vetëdijshme se Komuna e Medvegjës drejtohet nga partia e Vuçiqit, megjithatë ka zgjedhur ta kanalizojë ndihmën përmes institucioneve lokale serbe dhe jo përmes mekanizmave që do të garantonin përfitim për shqiptarët.

“Ky është vendim politik, jo gabim administrativ”, vlerëson Shaqiri, duke shtuar se ndërkohë shqiptarët në Medvegjë vazhdojnë të përballen me pasivizim adresash, fshirje nga sistemi shtetëror dhe diskriminim të hapur institucional.

Sipas saj, ky veprim përbën dështim të rëndë politik dhe moral të Qeverisë së Kosovës dhe një braktisje të qëllimshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në veçanti atyre të Medvegjës.

Linda Shaqiri është ish-zyrtare e lartë e Qeverisë së Kosovës, kandidate për deputete në zgjedhjet e fundit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si dhe gazetare dhe poete.

— Dragash Info

Original Facebook objava